Blije këtë produkt
1800 Lekë

Eqrem Çabej Studime etimologjike në fushë të shqipes, bleu IV ( Botuar nga: Çabej në )

Autori:  Eqrem Çabej

“Studimet etimologjike në fushë të shqipes” është vepra e jetës së autorit. Vepra është fryt i njohjes së gjithanshme të gjuhës amtare, përgjithësim i dijeve të thella dhe i përvojës së pasur të autorit në fushën e historisë së shqipes, të ballkanologjisë dhe të indoevropianistikës. Në këtë vepër, studimi fonetik, gramatikor e semantik i fjalëve të gjuhës shihet i lidhur me elementet e kulturës materiale e shpirtërore të bartësve të saj. Objekt i analizës janë fjalët, të cilat studiohen për nga përhapja e tyre në të shkuarën dhe në të tashmen, vendi i formimit të tyre, zhvillimi i tyre i brendshëm, aftësitë fjalëformuese, zgjerimi a ngushtimi i kuptimit, ndryshimi formal, zhdukja, zëvendësimi me fjalë të tjera etj. Një vend të posaçëm në metodën e tij të studimit zë edhe qëndrimi i tij lidhur me grupimin e fjalëve në fond të trashëguar dhe fond të huazuar, duke iu dhënë përgjigje disa gjuhëtarëve (sidomos Majerit), që e shihnin shqipen si një gjuhë gati të romanizuar. Ai shtron tezën se si për fjalët me burim vendas, ashtu edhe për ato të huazuara, duhet të mbahet parasysh përhapja e tyre dhe denduria e përdorimit dhe se prania e elementit vendas dhe atij të huaj tregojnë "në një anë shkallën e ndikimit të huaj mbi shqipen, në anën tjetër shkallën e rezistencës së kësaj gjuhe". Nëpërmjet një analize statistikore, ai tregon se fondi me burim vendas është më i pasur se ai i huazuar.Një nga kërkesat bazë të metodës së tij në studimin e etimologjisë së fjalës ishte respektimi rigoroz i ligjësive fonetike, morfologjike, fjalëformuese e semantike, që historikisht kanë vepruar mbi gjuhën shqipe e në gjuhët në kontakt. Zbulimi i këtyre ligjësive mundësoi rindërtimin e mjaft trajtave të hershme. Nga ana tjetër, krahasimi i brendshëm u pa i lidhur ngushtë me faktorët jashtëgjuhësorë të përmendur më lart. Zbatimi i parimeve shkencore të fonetikës dhe gramatikës historike do të hidhte dritë për një varg çështjesh që ai studioi, si: evolucioni i sistemit zanor e bashkëtingëllor i shqipes posaçërisht në lidhje me theksin, gjatësinë, dukurinë e metafonisë, hundorësinë, diftongjet, zanoren ë të patheksuar, bashkëtingëlloret grykore, grupet e vjetra të bashkëtingëlloreve nt, ng, nd, si dhe mbi disa dukuri të tjera morfonologjike, si ai i nyjave, i shumësit të singularizuar, gjinia asnjanëse etj. Veçanërisht çështja e prejardhjes së fjalëve dhe afria gjuhësore në faza të ndryshme të evolucionit kanë lidhje të drejtpërdrejtë me çështjen kombëtare dhe autoktonitetin e saj. Sipas këtij koncepti, shqipja e sotme ruan me konservatizëm ashtin e lashtë të substratit: gjuha dhe etnosi i këtij populli janë në vazhdimësi të atdheut të parëve të shqiptarëve dhe të territorit të tyre. Evolucioni organik i gjuhës është bërë në lidhje të ngushtë me evolucionin e kulturës materiale dhe shpirtërore të popullit shqiptar, duke e parë këtë mekanizëm në shtrirjen e tij kohore e hapësinore. Etimologjia e Çabejit është, në fakt, historia e gjuhës shqipe, e cila përkthehet në histori të popullit dhe historia e popullit të orienton drejt përcaktimit të gjenezës, të substratit dhe të autoktonitetit.

Çmimi: 1800 Lekë
Blije këtë produkt
1800 Lekë

Detajet e Librit

  • Shtëpia Botuese: Çabej ()
  • Gjuha e publikimit: Shqip
  • Formati: me kapak të hollë
  • Nr. faqe: 400
  • Përmasat e librit: 170 x 240 x 30 mm

Njihu me Autorin

 
Të gjitha të drejtat e rezervuara. © 2015 Librari Albania