Faqja e autorit

Friedrich Nietzsche


Friedrich Wilhem Nietzsche (sqt. Fridrih Niçe) lindi më 15 tetor 1844; vdiq më 25 gusht 1900. Është një nga filozofët më të shquar gjermanë me origjinë Polak i shek. të 19. Ai ka qenë një kritik i ashpër i Krishtërimit (dhe i fesë në përgjithësi), i idealizmit gjerman, i Feminizmit dhe i modernizmit në përgjithësi. Ai konsiderohet si një mjeshtër i vërtetë i aforizmave filozofike të krijuara në formë eksperimentale. Për këtë arsye, ai është urryer, adhuruar, keq-interpretuar dhe ndoshta mbetet edhe sot e kësaj dite filozofi më i vështirë për t’u kuptuar.

Nietzsche ka lindur me 15 tetor të vitit 1844 në Ryken të Lajpcigut, në Saksoni. Ai u rrit në gjirin e një familjeje protestante, ndërsa i ati ishte prift. Ky i fundit vdiq kur Friedrich ishte vetëm 4 vjeç, pasi vuante nga një sëmundje mendore. Së bashku me të ëmën dhe të motrën, Elizabeth, ai u transferua në Naumburg ku do të jetonte për tetë vite me radhë. Friedrich ishte një adoleshent tepër kurioz, një nxënës i shkëlqyer dhe në momentin e përballjes me besimin fetar, nisi të anonte nga ateizmi. Ai studioi filozofi në Universitetin e Lajpcigut ku do të njihej me veprat e Shopenhaurit, të cilat do të përbënin pikënisjen e frymëzimit të tij filozofik.

Në vitin 1865, në moshën 24 vjeçare, Nietzsche emërohet profesor në Universitetin e Bazelit dhe merr nënshtetësinë zviceriane. Një vit më parë, ai ishte njohur me kompozitorin Richard Wagner, me të cilin do të kishte një miqësi të gjatë, por kjo nuk e ndaloi ta kritikonte si përfaqësues të kulturës më dekadente në botë, asaj gjermane. Në këtë periudhë studion filozofinë antike greke, ne veçanti veprat e filozofëve para-sokratikë, Heraklitit dhe Empedokles.

Në vitin 1870 Nietzsche shërbeu si asistent mjekësor në Luftën Franko-Prusiane ku njohu nga afër traumat dhe mjerimin njerëzor, ku për më tepër u sëmur edhe vetë nga dizanteria dhe difteria. Pasojat e këtyre sëmundjeve ai i vuajti gjatë gjithë jetës. Pas rikthimit në Bazel, në vend që të pushonte, nisi të shkruajë pambarimisht, duke shfrytëzuar në maksimum fuqinë e tij mendore. Në vitin 1872 publikoi veprën e tij të parë të famshme Lindja e tragjedisë.

Në vitin 1879 braktisi mësimdhënien për shkak të problemeve shëndetësore dhe në dekadën në vazhdim e kaloi kohën në Venecia, Torino dhe Nisë.

Tre vite më vonë, bie në dashuri me Lou fon Salome, por kjo e fundit e refuzoi kërkesën e tij për martesë. Po në vitin 1882 Nietzsche nis të shkruajë kryeveprën e tij Kështu foli Zarathustra( Also spracht Zarathustra ), e cila publikohet 3 vite më vonë.

Në vitin 1888 transferohet në Torino, ku dhe do të përfundojë veprat Perëndimi i idhujve dhe Ecce Homo – Si bëhet njeriu ai që është.

Filozofia e Nietzsches nis me trajtimin e filozofisë dhe artit të Greqisë Antike, në disfavor të klasicizmit, të cilin e vështronte si një afirmim të vizionit të arsyeshëm dhe për rrjedhimisht përfaqësues të dekadencës. Në veçanti tragjedia greke është interpretuar si një shprehje e impulsit jetësor, apo siç shprehet Nietzsche e ‘momentit dionisiak’. Nietzsches kritikoi ashpër vlerat morale të shoqërisë dhe altruizmin, të cilat në fakt mohojnë vetë jetën. Sipas tij njeriu duhet të përjetojë edhe dhimbjen pasi ‘ajo çfarë nuk të vret, ajo të bën më të fuqishëm’. Koncepti i njohur i Nietzsches ‘ vullneti për fuqi’ luan një rol kryesor në filozofinë e tij, duke u shprehur se ‘është esenca e ekzistencës njerëzore, sikur t’i thuash jetes po!’, pra afirmimi i saj. Nietzsche mendonte se udhëheqësit fetarë e përdorin besimin dhe moralin për të skllaveruar njerëzimin. Sipas tij, koncepti ‘fuqia e vullnetit’ lejon tejkalimin e njeriut jo eliminimin e tij, pra braktisjen e idhujve dekadentë dhe shpresës për një jetë në botën e pasvdekjes dhe pranimin e jetës ashtu siç është ajo. Pra ndryshe nga keqinterpretimet e filozofisë së tij, mbinjeriu nichean nuk është një njeri i gjithëfuqishëm, por një qënie që duhet të zhvillohet lirshëm për të tejkaluar vetveten ( "..njeriu është një urë dhe jo një qëllim." – kjo është edhe ideja thelbësore e Zarathustrës. Pikërisht këtë ide e keqpërdori ideologjia naziste. Shkrimet e tia përsa i përket fuqisë, dobësisë, feminizmit dhe fesë u bënë aksioma të nazizmit në hartimin e doktrinës së tyre totalitare, ndërkohë që vetë Nietzsche ishte kundër anti-semitizmit dhe dënimit me vdekje.

Nietzsches i përket një nga thëniet më të famshme në histori, ‘Zoti ka vdekur’, por kuptimi nuk është aspak ai i supozuar. Nietzsche flet për bashkëkohësit e tij, hipokrizia e të cilëve le të kuptohet se ata në fakt jetojnë ‘sikur Zoti të kishte vdekur’. Sipas Nietzsche ‘... ka ekzistuar vetëm një i krishterë i vërtetë, dhe Ai vdiq në Kryq’.


Friedrich Nietzsche 1868
Me 3 janar të vitit 1889, teksa ndodhej në Sheshin Karlo Alberto, në Torino, Nietzsche pësoi krizën e parë nervore duke shfaqur mendime delirante dhe duke u vetë-quajtur Krishti apo Dionisi, perëndia greke e dëfrimit. Sëmundja e papritur e tij është debat më vete. Disa mendojnë se ai e trashëgoi sëmundjen nga babai i tij, dhe ka mendimi të ndryshme se si dhe sa ndikoi kjo sëmundje në krijimtarinë e tij filozofike.

Fridrich Nietzsche i kaloi 2 vitet e fundit të jetës së tij në errësire mendore dhe nën perkujdesjen e së motrës, Elizabeta. Filozofi i madh u nda nga jeta me 25 gusht të vitit 1900, në Vajmar.

Shiko librat e autorit

Të gjitha të drejtat e rezervuara. © 2015 Librari Albania