Blije këtë produkt
580 Lekë

Triumfi dhe tragjizmi i Erazmit të Roterdamit ( Botuar nga: IDK në 2006 )

Autori:  Stefan Zweig
Përkthyesi:  Ferdinand Leka

E mbajtur prej shumë studjuesve si ndoshta vepra më interesante e Stefan Zweig-ut. Një portret i shkëlqyer psikologjik e historik i Erazmit të Roterdamit, autorit të librit të famshëm «Madhështia e Marrëzisë», filozofit e teologut të njohur hollandez, një prej figurave më interesante e më komplekse të Rilindjes dhe të mbarë historisë intelektuale të Europës. Një portret i humanistit të madh, ndoshta të parit që e ndjente veten qytetar evropian, i atij që mbi të gjitha urrente çfarëdo fanatizmi fetar apo politik, ithtar deri në fund i lirisë së mendimit, çka bëri që thuajse askush të mos e donte. Një libër që ia del të japë një tablo mbresëlënëse të asaj epoke të shqetësuar e të trazuar, kur në Evropë ndodhi çarja e madhe mes katolicizmit e protestantizmit. Një libër i bukur që lexohet me një frymë. Erazmi nga Roterdami, dikur lavdia më e lartë dhe më e ndritur e shekullit të vet, sot - nuk mund ta mohojmë - nuk është më shumë se një emër. Veprat e tij të panumërta, të shkruara në latinishten e humanistëve - një gjuhë mbikombëtare që sot e ka mbuluar harresa - flenë të pashqetësuara në biblioteka. Ndoshta vetëm një nga librat e tij, që në të shkuarën ishin shumë të njohur, i flet ende kohës sonë. Personaliteti i tij, edhe ashtu i vështirë për t’u përcaktuar, për shkak të gjysmëhijeve dhe lëkundjeve, errësohet nga figurat më të fuqishme e më të vrullshme të reformatorëve të tjerë universalë, ndërsa jeta e tij private na jep fare pak të dhëna interesante. Njeriu i heshtur, që punon pa u lodhur, rrallëherë arrin të ketë biografi shumë tërheqëse. Por edhe veprimtaria e tij më e rëndësishme mund të quhet e harruar dhe e varrosur për mënyrën e të menduarit të ditëve tona, si guri i themelit që mbetet i fshehur nën ndërtesën e përfunduar. Duam, pra, të përshkruajmë këtu atë që ende sot, dhe pikërisht sot, na e bën të dashur Erazmin nga Roterdami, këtë të harruar të madh: faktin se, nga të gjithë shkrimtarët dhe mendimtarët e Perëndimit, ai qe i pari europian i vetëdijshëm, i pari që luftoi me vendosmëri për paqen dhe mbrojtjen e idealit humanist. Fati tragjik, që e nxori të mundur në luftën për një botë më të drejtë dhe më të harmonishme, na e bën më të afërt, sikur të na lidhte me të një ndjenjë vëllazërore. Erazmi ka dashur shumë gjëra që i duam edhe ne: poezinë dhe filozofinë, librat dhe veprat e artit, gjuhët dhe popujt. Dhe, mbi të gjitha, ka dashur pa dallim të gjithë njerëzimin, për një qëllim moralizues shumë të lartë. Urrente me gjithë shpirt vetëm një gjë, që ishte për të antiteza e arsyes: fanatizmin. Erazmi, njeri më pak fanatik se kushdo tjetër, mendje ndoshta jo shumë e lartë, por me dije shumë të gjera, zemër që shfaqte më fort dashamirësi të sinqertë sesa mirësi të zhurmshme, shihte në çdo shprehje intolerance mëkatin e parë të botës sonë. Për mendimin e tij, pothuajse të gjitha konfliktet në mes të njerëzve dhe popujve mund të shuhen pa dhunë, me anë të mirëkuptimit, sepse të gjithë kanë të përbashkët natyrën njerëzore. Çdo kundërshti mund të zgjidhet me mirëkuptim, po të mos e tendosin ekstremistët dhe të zemëruarit gjithmonë harkun e luftës. Prandaj, në fushën e fesë, të kombësisë ose të mendimit, Erazmi luftoi gjithmonë kundër çdo lloj fanatizmi, duke e shikuar si armikun e parë dhe kokëfortë të mirëkuptimit. Prandaj ai urrente çdo shprehje kryeneçësie dhe njëanshmërinë, pa përfillur a vinte nga njerëz të veshur me veladonin e priftit apo me togën e profesorit, mendjengushtësinë dhe fanatizmin e çdo klase e race, të gjithë ata që kërkojnë bindje të verbër ndaj idesë së vet dhe quajnë herezi ose krim çdo mendim që nuk pajtohet me të vetin. Siç nuk deshi t’ia impononte tjetrit idetë e veta, po ashtu qëndroi i patundur kur të tjerët deshën ta detyronin të shprehte bindje fetare ose politike që nuk ishin të vetat.

Çmimi: 580 Lekë
Blije këtë produkt
580 Lekë

Detajet e Librit

  • Shtëpia Botuese: IDK (2006)
  • Botuar në: 2006
  • Gjuha e publikimit: Shqip
  • ISBN-10: 99927-780-4-0
  • Formati: me kapak të hollë
  • Nr. faqe: 176
  • Përmasat e librit: 134 x 206 x 8 mm

Njihu me Autorin

Stefan Zweig -

Stefan Zweig lindi më 28 nëntor të vitit 1881 në Vjenë, Austri dhe vdiq më 23 shkurt 1942 në Petrópolis afër Rio de Janeiro, Brazil. Ishte një ndër shkrimtarët më të shquar austriakë. Stefan Zweig (i njohur më shumë si Stefan Cvajg), është një nga shkrimtarët më të njohur në botë i viteve ...

Më shumë rreth autorit
 
Të gjitha të drejtat e rezervuara. © 2015 Librari Albania