titleToAlt
“"Diomedi", është tragjedia e shtatë që na dhuroi në kohët e fundit,poeti Elbasanas. Do na udhëheq përsëri nëpër sferat demonike të mitologjisë greke. Por këtë rradhë zgjodhi një themë me një fond mjaftë të thellë të legjendës illiriane. “ -Branko Merxhani, 1936 “Me "Diomedin" Haxhiademi vuri përballë dashurinë, krimin, urrejtjen, pasione njerëzore-të cilat i zhvillon me një dramacitet të gjallë.” -Vangjo Nirvana (Vangjel Koça), 1937 “Diomedi është tragjedia më klasike e Haxhiademit, në të lidhet ngushtë veprimi dhe arti: subjekti është kornelian dhe i jep shkas dramacitetit më të hollë e më të thelluar që gjarpëron në brenga ndërgjegje e buçet në vëllavrasje.” -Bardhi ShtylIa (Behar Shtylla), 1944 “Me «Diomedi-n» — Haxhiademi mbrapa këthen edhe nji herë në klasiçizmin e epokës greke. «Më pëlqen — shkruan vetë ay në parathënjen e këtij libri — të hartoj nji tragjedi të re origjinale në trazim të personavet legjendarë t'Ilirisë dhe të trimave të Trojës, të cilët kanë qënë gjithmonë brumi i pa mbaruem për poetët e mëdhenj të botës.»” -Jup Kastrati, 1944
Çmimi: 700 Lekë
titleToAlt
“Vlen të shënohet edhe libri i fundit dhe më i bukur i Dramaturgut t'onë modest Etem Haxhiademi-t: "Skënderbeu", tragjedi me pesë akte, Tiranë, 1935. Fytyra e çuditshme e Fatosit t'onë legjendar, symbolizon typin e njeriut tragjik të cilit nuk i mungon elementi demonik për të frymëzuar tragjedinë më të goditur, jo vetëm të jetës së tij private, por edhe të mjerimeve historike të së gjithë jetës së popullit shqiptar. Vepra e Haxhiadem-it, që zë një vend të posaçëm nëpër botime letrare të vitit të kaluar, ësht prova e parë guximtare për të krijuar një Typologi të shpirtit rreth Epokës karakteristike të Skënderbeut.” -Branko Merxhani, 1936 “Sikurse tragjedijat e tjera t'auktorit edhe kjo, Skënderbeu, ka frymë klasike: ndahet në pesë akte, ka pak persona dhe në të thurunit e gjithë lëndës ruhen rregullat klasike të artit dramatik. Z. Etëhem Haxhiademit, admiratorit të klasicizmit, i pëlqen me hartue jo drama, por tragjedija. Auktori asht i pari ndër ne që ban tragjedija me vlerë e me teknikë. Ai ja ka marrë dorën mirë hartimit të tragedijavet klasike, asht ba, arak në ket punë dhe ja qëllon mirë punës mbas mendjes s'eme.” -Aleksandër Xhuvani, 1936 “E. Haxhiademi me "Skënderbeun" hyri në histori, po me "Diomedin", u kthye prapë në mythologji. Me "Skënderbeun" preku nji çast dramatik të jetës së Heroit t'onë Kombëtar dhe dijti t'a zhvillojë në teknikën e tij të përparuarë.” -Vangjo Nirvana (Vangjel Koça), 1937
Çmimi: 700 Lekë
titleToAlt
“Në këtë vepër autori ka dashur të na japë një tragjedi euripidiane, në të cilën zotëron përpjekja e pasioneve njerëzore, dashuri, ambicie, mëri, hakmarrje, pasione të mëdha njerëzore, që i japin tema të pasosura repertorit theatror...Këto vepra kanë cilësira që e nderojnë zotësinë dhe inspiratën e autorit të tyre dhe janë një prodhim i vyer në literaturën e sotme të brezit të ri.”-Vango Nirvana (Vangjel Koça), 1930 ""Aleksandri" është krejt llahtar e gjak: djallëzija dhe thika janë themelet dhe kulmi i kësaj tragjedije’ (shkruan Bardhi Shtylla). Aleksandri asht Akili i kohnavet historike: strateg, i urtë, i matun, jo i ngutshëm por burr taman i pikatun. "Nji fytyrë legjendare që i ndrroi rrymën historisë, dhe bani që kush di sa e sa mija vëllimesh të shkruhen mbi 'të: mbi luftat e jetën e tij. Subjekti asht marë nga historija e mbretit Filip të Maqedhonisë, i cili vritet tradhëtisht dhe hypë në fron i biri i tij Aleksandri. Në kët tragjedi - shkruen Vangjo Nirvana - ka dashur të na japij një tragjedi euripidiane në të cilën zotëron përpjekja e passionevet njerëzore. Dashuri, ambicje, mëri, hakëmarje, passione të mbëdha njerëzore, që i japin thema të pa sosura reporterit theatror".”- Jup Kastrati, 1944
Çmimi: 700 Lekë
titleToAlt
“Po Haxhiadèmi si i paraqit Abelin dhe Kainin? Si një problem pedagogjie. S'ka fjalë se ky problem pedagogjik ka rëndësi të madhe. Dhe në përdorimin e kësaj theme Haxhiademi është dëftuar roussean-ian, domethënë veprën e keqe të Kainit nuk ia heth natyrës së tij të keqe, po fajit të prindëvet, që donin më tepër Abelin nga ai. Symboli bilbik i së ligës, symboli manikeist i protestës, Kaini bëhet te dramaturgu shqiptar symbòl pedagogjik à la Rousseau. Çështje sensibiliteti artistik dhe psykosynthèze. Po ndër ne Shqiptarët Kaini, me veprën e tij të vëllavrasësit, mund të mishërojë edhe dramën politike e kombëtare shqiptare të pesëmbëdhjetë vjetëvet të fundit. Dhe si protagonist i kësaj drame, Kaini në një tjetër tragjedi, po të shkruhet, mund të marij edhe shtetësi shqiptare. Kainër dhe Abelër jemi një çikë që të gjithë, kush më pak kush më shumë, dhe si të tillë symbole të përjetëshme i jetojmë edhe nè: dhe si njerës dhe si shqiptarë. Edhe këtë tragjedi të re Haxhiadèmi e ka punuar me mjeshtërinë e tij të njohurë, duke respektuar règullat e tragjedisë klasike.” -Vangjo Nirvana (Vangjel Koça), 1940 “...me «Abelin», që asht e shtatëta tragjedi e tij dhe nji kohësisht deri më sod e fundit, zotësija e Haxhiademit mërrinë kulmin: teknika, masa, tonaliteti, rima e ritmi janë po thuej se të përsosuna. Një epërsi dalluese bjen në sy në kët vepër, në krahasim me të tjerat. «Me Abelin paraqitet si artist e dramaturg i rritur: krijesat e tij përbëjnë një botë më vehte ku duan të lëvizin me ëndje. Kur është i pajosur me fuqi artistike dhe poetike të mjaftë, auktori dramatik është vërtetë si demiurg, i afrohet një perëndije dhe kështu e mbyll rrethin midis krijesës dhe krijestarit.»” -Jup Kastrati, nga Dramatika shqiptare, 1944
Çmimi: 700 Lekë
titleToAlt
“A kemi nji dram modern Shqiptar?... Haxhiademi frymëzue prej tragjedive Greke të vjetër na ep vepra që i lexon vetëm nji pjesë e zgjedhun. Shkruen si Ulisi, Akili, Aleksandri, Diomedi vazhdon me dram historik si: Pirrua dhe Skenderbeu.” -Muhamet Bala, 1942 “...Por mbas vitit 1930 vehen gurët e parë të themelit të «dramaturgjis Shqiptare: Etëhem Haxhiademi shkruen - në nji kohë jo ma të gjatë se dhetë vjetësh, plot shtatë tragjedina; ndër të cilat tri me frymë mitologjike (Ulisin, Akiliv, Diomedi) e katër me përbajtje historike (Aleksandri, Pirrua, Skënderbeu, Abeli). Me ‘Pirrua-n’ nisë periudha historike për Haxhiademin: nga miti grek ai hidhet në lamën historike e kërkon në mes sa e save të gjejë nji fytyrë o ma mirë me thanë nji person qe lidhet ngusht pak a shumë edhe me historinë tonë të vjetër. Asht pra nji dram thellësisht psikologjik. Në tragjedinë Pirruas që ka pra një subjekt të nxjerrun nga historija kombëtare shqiptare tregohen intrigat e oborreve të mbretënve të dikurshëm t'Epirit, Neoptolemit dhe Piros, që përfundon me vrasjen tragjike të të parit.” -Jup Kastrati, 1944
Çmimi: 700 Lekë
titleToAlt
“Dhe kur herë pas here largohet gjiri i Melpomenës dhe mer lyrën për të kënduar, Haxhiadèmi s'e harón humanistin dhe kështu ëndërat e tija poetike i vesh dëndur me symbolet e mythologjise greke. Këtë na provon LYRA e tij, në të cilën Haxhiademi përmbledh vjershat që ka botuar kohë pas kohe në Austri dhe në Shqipëri. Nga këto vjersha duhet të veçojmë "Nymfat e Shkuminit", qe e nderojnë poezinë shqiptare. Nuk bien poshtë edhe "Nata e Zeze", "Naim Frasherit", "Lufta e Drangojvet me kuçedren". Janë xhevaire që mallëngjejnë. Nymfat, Najadat, Driadat, Zanat, Galatea, Fåtet, Febi, Amazonat, nje botë e tërë e Parnasit helenik popullon vjershat e Haxhiademit dhe bëhet zinxhir për të bashkuar lyrën me tragjedinë në një synthezë, që e vë në dukje poetin dhe dramaturgun humanist të parë të letravet shqiptare të ditëvet t'ona.” -Vango Nirnana (Vangjel Koça), 1940 “Në një volumth me titullin LYRA dramaturgu ynë Etëhem Haxhiademi përmblodhi disa nga vjershat e tij të botuara me kohë të ndryshme. Pa dyshim nga çdo pikëpamje te ky volum na thithin më tepër vargjet e "Nymfavet të Shkuminit", nga ku flakëron për bukuri jeta prrallore e nymfave në viset e bukura shqiptare.” -Gjon Zaveri (Sterjo Spasse), 1941
Çmimi: 700 Lekë

 

Të gjitha të drejtat e rezervuara. © 2015 Librari Albania